Pjesëmarrja gjinore në zgjedhjet e 28 dhjetorit – Vetëm 35% e komisionerëve janë gra
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur statistikat për përbërjen gjinore të komisionerëve dhe anëtarëve të këshillave të vendvotimeve që do të angazhohen në zgjedhjet e së dielës, më 28 dhjetor.
Sipas Radoniqit, nga 10,606 komisionerë, vetëm 3,763 janë gra, ndërsa 6,843 (64.53%) janë burra. Përqindjet e pjesëmarrjes së grave në trupat zgjedhore janë të ngjashme me zgjedhjet lokale të mbajtura para dy muajsh, ku nga 14,353 anëtarë, 5,276 (36.76%) ishin gra dhe 9,077 (63.24%) burra.
Radoniqi ka bërë këto komente gjatë tryezës “Barazia gjinore në proceset zgjedhore – Promovimi i barazisë gjinore dhe fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në proceset zgjedhore”, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, me pjesëmarrjen e ambasadorit të Francës, Olivier Guérot, dhe shefit të OSBE-së, Gerard McGurk.
Ai gjithashtu rikujtoi se KQZ ka përmbyllur certifikimin e kandidatëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku nga 1,180 kandidatë, 789 (66.86%) janë burra dhe 391 (33.13%) gra.
Radoniqi theksoi rolin e KQZ-së në përfaqësimin gjinor, duke shpjeguar se ky institucion vepron në dy dimensione: zbatimin e kuotës minimale prej 30% për pjesëmarrje dhe përfaqësim gjinor siç parashihet me ligj, dhe përfaqësimin gjinor në trupat e administrimit të zgjedhjeve.
“Ndryshe nga listat e subjekteve politike, KQZ nuk ka obligim ligjor për të garantuar kuotën minimale gjinore prej 30% në përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve. Megjithatë, përmes aktit nënligjor për themelimin dhe përbërjen e këtyre këshillave, KQZ ka përcaktuar këtë standard si pjesë e politikave pozitive dhe masave afirmative, për të avancuar përfaqësimin gjinor dhe barazinë në administrimin zgjedhor”, tha Radoniqi.
Ky raport nxjerr në pah sfidën e vazhdueshme për të rritur pjesëmarrjen e grave në proceset zgjedhore në Kosovë, duke theksuar nevojën për politika të vazhdueshme afirmative dhe përkushtim institucional./EO/