Rama njofton rikthimin e TikTok në Shqipëri – Qeveria arrin partneritet me platformën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se platforma e rrjetit social TikTok do të jetë sërish e aksesueshme për përdoruesit në Shqipëri, pas arritjes së një partneriteti mes qeverisë dhe kompanisë.
Në një intervistë për median ndërkombëtare Politico, Rama bëri të ditur se marrëveshja me TikTok është finalizuar dhe se së shpejti do t’i prezantohen publikut shqiptar masat e reja mbrojtëse që do të shoqërojnë rikthimin e platformës.
“Jemi të kënaqur me rezultatin. E kemi bërë partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt në vijim do t’ia zbulojmë planin popullit shqiptar, siç e premtuam”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se ishte i befasuar nga reagimi i drejtuesve të TikTok pas vendimit fillestar për ndalimin e platformës në Shqipëri, duke theksuar se priste një qëndrim më përballues nga ana e tyre.
“Në fillim ishte normale të mendonim se ata do të na luftonin, do të hakmerreshin ndaj nesh apo do të na ngacmonin. I takova vetë dhe mbeta shumë i impresionuar nga qëndrimi i tyre. Ata po i dëgjonin me shumë kujdes pikat tona”, u shpreh Rama.
Sipas tij, partneriteti i arritur synon rritjen e sigurisë, mbrojtjen e përdoruesve dhe adresimin e shqetësimeve që kishin çuar më herët në kufizimin e aksesit në këtë platformë.
Detajet e plota të marrëveshjes dhe masat konkrete pritet të bëhen publike në periudhën në vijim.