Protesta para Kryeministrisë në Tiranë hyn në ditën e 43-të
Protesta qytetare para Kryeministrisë në Tiranë ka vijuar edhe këtë të diel, duke shënuar ditën e 43-të radhazi të mobilizimit. Fillimisht e nisur si kundërshtim ndaj projektit të investimit në Zvërnec, protesta është zgjeruar me kërkesa të tjera që lidhen me zhvillimet politike dhe ligjore në vend.
Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, prej nga marshuan drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke mbajtur pankarta dhe duke kërkuar ndryshime në ligjin zgjedhor, si dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Gjatë tubimit u dëgjuan sërish thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për ndryshime në klasën politike. Aktivistë dhe pjesëmarrës të ndryshëm mbajtën fjalime, duke bërë thirrje për vazhdimin e protestave dhe angazhim qytetar.
Në protestë morën pjesë edhe qytetarë nga diaspora, si dhe një turist nga Suedia, i cili u shpreh kundër korrupsionit dhe u bëri thirrje shqiptarëve të angazhohen për të ardhmen e vendit.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit marshuan në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
