FSK përfundon me sukses trajnimin elitë “Simboli i Ujkut”
Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbyllur me sukses trajnimin elitë “Simboli i Ujkut”, një program intensiv trejavor i dizajnuar për testimin dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale, fizike dhe mentale të pjesëtarëve të saj.
Ky trajnim selektiv u karakterizua nga sfida të vazhdueshme dhe ushtrime të nivelit të lartë, duke synuar përgatitjen e pjesëmarrësve për situata komplekse operacionale. Pjesa më sfiduese e trajnimit ishte ushtrimi final, i cili zgjati 72 orë pa ndërprerje.

Gjatë kësaj faze, kursantët realizuan patrullime mbi 70 kilometra me pajisje të plota ushtarake, duke dëshmuar qëndrueshmëri fizike dhe disiplinë të lartë. Në fazën përfundimtare, ata ekzekutuan me sukses misionin e caktuar, përfshirë sulmin, duke treguar profesionalizëm të lartë, vendosmëri dhe bashkëpunim të shkëlqyer ekipor.

Nga FSK është vlerësuar se përfundimi me sukses i trajnimit “Simboli i Ujkut” konfirmon nivelin e lartë të përgatitjes dhe gatishmërisë së pjesëtarëve të saj, si dhe përkushtimin e vazhdueshëm për ngritjen e kapaciteteve operative dhe profesionale.

Ky trajnim konsiderohet një hap i rëndësishëm në zhvillimin e aftësive të avancuara ushtarake dhe në forcimin e gatishmërisë së FSK-së për përmbushjen e detyrave dhe misioneve të saj.
