13-vjeçari lëndohet nga mjete piroteknike në Ferizaj, dërgohet për trajtim në QKUK
Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur më 17 dhjetor 2025 në fshatin Cërnillë të Ferizajt, ku një fëmijë 13-vjeçar ka pësuar lëndime trupore si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike.
Bëhet e ditur se rreth dje orës 16:30, fëmija është paraqitur për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku mjekët kanë konstatuar lëndime në duar, të shkaktuara nga mjetet piroteknike. Pas ofrimit të ndihmës së parë, për shkak të natyrës së lëndimeve, i mituri është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Viktima është identifikuar me inicialet E.Q.
Burime të besueshme bëjnë të ditur për Sinjalin se lidhur me ngjarjen është njoftuar Prokurori Kujdestar për të Mitur, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Lëndim me mjete piroteknike”.
Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti janë ende në zhvillim, ndërsa Sinjali do të vazhdojë t’i mbajë lexuesit të informuar me raportime të reja.