Kosovari i dyshuar për kanosje arrestohet në Zvicër, dorëzohet në Policinë e Prizrenit
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 17 dhjetor 2025 është realizuar me sukses ekstradimi i një shtetasi kosovar nga Zvicra në Republikën e Kosovës, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë kosovare.
Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi është bërë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet zvicerane.
I dyshuari ishte arrestuar më herët në Zvicër, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, nën dyshimin për veprën penale “Kanosje”.
Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, i dyshuari i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit, ku do të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe në gjurmimin dhe arrestimin e personave të dyshuar që veprojnë brenda dhe jashtë territorit të Kosovës.
Ky rast konsiderohet si një tjetër dëshmi e rëndësisë së bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit dhe në forcimin e sundimit të ligjit.