21-vjeçarja në Ferizaj tentoi vetëvrasjen, dërgohet me urgjencë për trajtim mjekësor
Një incident i rëndë është shënuar në orët e hershme të mëngjesit në Ferizaj, ku një e re ka përfunduar në gjendje të rëndë shëndetësore pas një rasti të dyshuar vetëlëndimi.
Sipas informatave nga Emergjenca dhe strukturat e përfshira në trajtimin e rastit, ngjarja ka ndodhur më 16 dhjetor 2025, rreth orës 05:30, në ndërtesën “Morea”, në rrugën “Uran Tinova”.
Burimet bëjnë të ditur se e reja dyshohet se ka konsumuar sasi të tepruar të medikamenteve mjekësore, duke rrezikuar seriozisht jetën e saj. Viktima, e identifikuar me inicialet E.K., rreth 21-vjeçare, është transportuar fillimisht në Emergjencën e Ferizajt, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, rreth orës 08:30, ajo është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po vazhdon trajtimin mjekësor dhe është udhëzuar për trajtim në repartin e psikiatrisë.
Ndërkohë, lidhur me rastin janë angazhuar edhe njësitë e hetimeve të Stacionit Policor në Ferizaj, të cilat kanë kontaktuar palën ankuese dhe kanë intervistuar dëshmitarin. Veprimet janë zhvilluar në koordinim me Prokurorin kompetent.
Rasti është iniciuar dhe po trajtohet si “Vetëvrasje në tentativë”, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes janë në vazhdim./Sinjali/