Në Prizren e Mamushë kërkohet që fletëvotimet të jenë edhe në gjuhën turke

08.12.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së së hënës, ku u miratuan gjithashtu edhe formulat e këshillave të vendvotimit për vendvotimet e rregullta, ato me kusht si dhe ekipet e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).

Mirëpo, vendimi i KQZ-së nuk ka kaluar pa kundërshtime. Anëtarja e KQZ-së nga Partia Turke e Kosovës, Mybera Shinik, ka reaguar duke kërkuar që fletëvotimet në komunat Prizren dhe Mamushë të përfshijnë edhe gjuhën turke, si gjuhë zyrtare në këto komuna me shumicë të konsiderueshme të komunitetit turk.

Shinik: Do të ankohem në PZAP

Pas mosmiratimit të kërkesës së saj, Shinik ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ajo e konsideroi të padrejtë vendimin e KQZ-së, duke thënë se të drejtat gjuhësore të komunitetit turk po anashkalohen dhe se fletëvotimi duhet të reflektojë realitetin multietnik të komunave ku turqishtja gëzon status zyrtar.

Sipas saj, mosshënimi i fletëvotimeve në gjuhën turke për Prizren dhe Mamushë cenon përfaqësimin e drejtë të komunitetit dhe paraqet shkelje të obligimeve institucionale të KQZ-së.

KQZ-ja qëndron pas modelit të miratuar

Megjithë kundërshtimet, KQZ-ja ka miratuar modelin ekzistues të fletëvotimeve, duke vazhduar përgatitjet teknike për procesin zgjedhor të 28 dhjetorit. Përfaqësuesit e këtij institucioni nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi arsyet pse kërkesa e Shinik nuk është pranuar, por kanë theksuar se formularët e miratuar janë në përputhje me standardet ligjore të procesit.

Çështje që mund të ndikojë procesin zgjedhor

Ankesat që pritet t’i dorëzohen PZAP-it nga Mybera Shinik mund të çojnë në rishqyrtim të modelit për komunat ku komuniteti turk përbën një pjesë të rëndësishme të popullsisë. Vendimi i PZAP-it do të jetë kyç për përcaktimin e përmbajtjes përfundimtare të fletëvotimeve në ato zona.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit po afrohen, ndërsa çështjet gjuhësore dhe përfaqësimi i komuniteteve mbeten tema të nxehta brenda instituconeve zgjedhore.