Zvicër, iku nga policia gjatë një kontrolle trafiku, arrestohet 39-vjeçari nga Kosova

06.12.2025

Një shtetas kosovar 39-vjeçar është arrestuar nga policia kantonale e Cyrihut, pasi tentoi t’i shpëtonte një kontrolli të trafikut dhe u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Rasti ndodhi në orët e hershme të së dielës në autostradën A15, pranë Volketswil, gjatë një operacioni të gjerë kontrolli të trafikut.

Sipas policisë, ndërmjet orës 21:00 dhe 04:00, u kontrolluan rreth 220 automjete, së bashku me shoferët dhe pasagjerët e tyre. Pak pas orës 03:00, kosovari injoroi shenjën e ndalimit, përshpejtoi dhe u largua me shpejtësi përmes daljes Volketswil, duke shmangur kontrollin.

Siç raporton Urgjent bëhet e ditur se automjeti u gjet pak më vonë në një rrugë pyjore. Të dy personat që po udhëtonin braktisën makinën dhe tentuan arratisjen në këmbë. Shoferi kosovar u dorëzua dhe u arrestua në vendngjarje, ndërsa pasagjeri i tij vazhdon të jetë në arrati. Autoritetet e dyshojnë të arrestuarin për shkelje të Ligjit për të Huajt dhe Integrimin, dhe ai pritet të dërgohet tek prokurori publik.

Gjatë kontrollit të gjerë, policia konstatoi një sërë shkeljesh të tjera të trafikut: pesë persona u kapën duke drejtuar automjete në gjendje të papërshtatshme, dy prej tyre humbën përkohësisht patentën, një mjet u bllokua për shkak të defekteve serioze teknike dhe iu hoqën targat, ndërsa shtatë automjete të tjera u raportuan për defekte që kërkojnë inspektim të mëtejshëm. Përveç kësaj, 20 përdorues të rrugës morën gjoba për shkelje të ndryshme dhe tetë persona u urdhëruan të riparojnë defekte të vogla.

Policia kantonale informoi se kontrollet e trafikut do të vazhdojnë, me fokus në parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore.