Aviacioni civil në Kosovë në rritje – nga 400 mijë udhëtarë në vitin 2000, në 4.5 milionë në 2025
Në Ditën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, U.D. i Ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka përkujtuar arritjet e sektorit të aviacionit civil në Kosovë dhe ka theksuar sigurinë e transportit ajror në vend.
Në fjalën e tij, Durmishi theksoi se sektori ka pësuar zhvillim të jashtëzakonshëm që nga paslufta, duke filluar pothuajse nga zero. Ai u shpreh se në vitin 2000 numri i udhëtarëve ka qenë vetëm 400 mijë, ndërsa këtë vit pritet të kalojë 4.5 milionë udhëtarë, një rritje e madhe që sipas tij pasqyron konsolidimin e kapaciteteve profesionale dhe teknike të autoriteteve të aviacionit civil.
“Jam i lumtur që sot jam në mesin e komunitetit të aviacionit civil të Republikës së Kosovës dhe ju uroj. Shënimi i kësaj dite është i qëlluar sepse shteti ynë mund të mburret me arritjet e sektorit të aviacionit civil. Të dhënat historike të trafikut ajror në këtë çerek shekull janë mbresëlënëse. Mburremi me konsolidimin e autoriteteve profesionale të cilat kanë ngritur kapacitete teknike për mbikëqyrjen e sigurisë dhe sigurimit të aviacionit civil,” tha Durmishi.
Ai gjithashtu inkurajoi stafin dhe inspektorët e aviacionit civil të vazhdojnë të jenë vigjilentë në detyrat e tyre, duke ruajtur standardet ndërkombëtare të sigurisë në transportin ajror. Durmishi theksoi se inspektorët janë një aset i çmuar i shtetit, duke garantuar udhëtime të sigurta për publikun që udhëton për dhe nga Kosova, ndërsa infrastruktura moderne e aeroportit është një tjetër arritje që mbështet këtë proces.
Ky aktivitet nënvizon rëndësinë e Ditës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe rolin e saj në promovimin e sigurisë, standardeve profesionale dhe zhvillimit të vazhdueshëm të sektorit të aviacionit në Kosovë.