Prokuroria e Prizrenit mban trajnim për mbrojtjen e të dhënave personale

05.12.2025

Në Prokurorinë Themelore të Prizrenit është mbajtur sot një trajnim i rëndësishëm dedikuar mbrojtjes së të dhënave personale.

Trajnimi u organizua nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në bashkëpunim me Agjencinë për Informim dhe Privatësi, duke mbledhur së bashku prokurorë, bashkëpunëtorë profesionalë, zyrtarë ligjorë, zyrtarë për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe zyrtaren për komunikim publik.

Qëllimi i trajnimit ishte forcimi i njohurive praktike dhe juridike për zbatimin e standardeve të mbrojtjes së të dhënave personale, rritja e transparencës institucionale dhe përforcimi i përgjegjshmërisë në trajtimin e informacionit të ndjeshëm. Pjesëmarrësit u njoftuan me praktikat më të mira dhe obligimet ligjore që dalin nga korniza aktuale ligjore për privatësinë dhe të dhënat personale.

Ky trajnim është pjesë e një cikli të gjerë që po zhvillohet në të gjitha prokuroritë e Kosovës, në kuadër të marrëveshjes ndërinstitucionale për mbrojtjen e të dhënave, e cila synon ngritjen profesionale të stafit prokurorial dhe unifikimin e praktikave në mbarë vendin.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi kanë konfirmuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me synim përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të mbrojtjes së të dhënave dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale.