Dënohet me 2 mijë euro gjobë i akuzuari që rrahu të dashurën e tij
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 2 mijë euro gjobë të akuzuarin K.G., i cili ngarkohej me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” ndaj të dëmtuarës NN. Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjyqtari Albert Haliti, pasi i akuzuari pranoi fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë.
Sipas vendimit të gjykatës, gjoba duhet të paguhet brenda 15 ditësh nga dita kur aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm. Përveç gjobës, Gjykata e obligoi të akuzuarin të paguajë edhe shpenzimet e procedurës: 20 euro për paushallin gjyqësor, 20 euro për ekspertizën mjekësore dhe 20 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Pala e dëmtuar u udhëzua që kërkesat e saj t’i realizojë në kontest të rregullt juridiko-civil, ndërsa palët kanë të drejtë ankese ndaj aktgjykimit brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Detajet e rastit
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 15 janar 2020, rasti lidhet me një incident të ndodhur më 31 tetor 2019 në Prishtinë. Prokuroria pretendonte se për shkak të raporteve të përkeqësuara gjatë lidhjes së dashurisë dhe një mosmarrëveshjeje të çastit mes palëve, i akuzuari K.G. e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarën.
Sulmi i kishte shkaktuar asaj lëndime trupore, përfshirë një plagë mbretëse në buzën e sipërme, të shkaktuar nga goditja me një mjet të fortë jo të mprehtë—lëndime këto që sipas ekspertizës përbëjnë dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Për këtë veprim, K.G. akuzohej për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti tashmë është mbyllur në shkallën e parë, ndërsa mbetet të shihet nëse palët do të ushtrojnë ankesë në Apel./Betimi për Drejtësi/