I mituri kapet me pushkë gjuetie në Prekaz, policia i konfiskon armën dhe lepurin e vrarë

29.11.2025

Një rast i mbajtjes së paautorizuar të armës është regjistruar dje pasdite në Prekaz të Poshtëm, ku një i mitur dyshohet se është kapur me pushkë gjuetie dhe një lepur të vrarë në pronën e një qytetari.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30, kur ankuesi, një 35-vjeçar, ka lajmëruar Policinë pasi kishte dëgjuar britma dhe krisma armësh në tokën e tij.

Sipas policisë, patrulla dhe njësia e hetimeve kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku janë takuar me ankuesin, i cili ka deklaruar se aty ndodheshin dy persona me pushkë gjuetie dhe dy qen zagarë. Njëri prej tyre mbante një lepur të vrarë.

Gjatë kontrollit është identifikuar i dyshuari M. F., rreth 17-vjeçar, i cili ishte duke mbajtur një pushkë gjuetie të prodhimit turk, pa fishekë dhe pa leje përkatëse. Policia ka konfiskuar armën, ndërsa personi tjetër i pranishëm, që posedonte armë me leje, pritet të intervistohet sot, më 29 nëntor 2025.

Lidhur me rastin, hetuesit kanë kontaktuar Prokurorin kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Policia e Kosovës ka njoftuar se hetimet po vazhdojnë dhe rasti do të trajtohet sipas procedurave ligjore.

Në vazhdimësi, Policia apelon për respektim të ligjit dhe kujdes të shtuar, sidomos kur bëhet fjalë për përdorimin e armëve nga persona të mitur, duke theksuar se rastet e tilla paraqesin rrezik për sigurinë publike.