Dhuna në familje, sfidë për institucionet – brenda dy dite në polici raportohen disa raste

26.11.2025

Policia e Kosovës ka raportuar disa incidente të dhunës në familje që kanë ndodhur gjatë dy ditëve të fundit në disa qytete të vendit, duke përfshirë Prishtinën, Podujevën dhe Pejën.

Në Prishtinë, më 25 nëntor 2025 rreth orës 02:43, janë arrestuar dy të dyshuar, baba dhe bir i mitur, pasi pas një mosmarrëveshjeje fizikisht kanë goditur njëri-tjetrin. Të dy palët kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Po në Prishtinë, gjatë ditës së njëjtë, është raportuar një rast tjetër ku një mashkull kosovar është sulmuar fizikisht nga bashkëshortja e tij. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor dhe situata është dokumentuar nga Policia. Më pas, rreth orës 17:30, një mashkull tjetër kosovar është shoqëruar në stacionin policor për dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij. Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, palët janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Podujevë, më 25 nëntor rreth orës 12:30, është iniciuar një rast ku të përfshirë kanë qenë dy bashkëshortë. Bashkëshorti ka sulmuar fizikisht viktimën, e cila ka refuzuar tretmanin mjekësor, urdhrin mbrojtës dhe strehimoren, duke vendosur të kthehet tek prindërit e saj. I dyshuari gjendet ende në arrati.

Ndërsa në Pejë, më 24 nëntor rreth orës 18:00, është raportuar se ndaj një viktime femër kosovare, djali i saj dhe bashkëshortja e tij ushtronin dhunë psikike në vazhdimësi. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt. Një ditë më vonë, më 25 nëntor rreth orës 20:00, viktima femër ka pësuar dhunë psikike nga djali i saj, ndërsa pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, palët janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që të raportojnë çdo formë dhune në familje dhe thekson rëndësinë e ndërhyrjes së shpejtë për të mbrojtur viktimat, duke siguruar se çdo incident do të trajtohet sipas ligjit dhe procedurave të rregullta.