Tejkalim në vijë të plotë dhe 126 km/h në zonë 40 – policia dënon tre shoferë me gjoba prej 200 dhe 400 euro
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrolleve të zhvilluara ditëve të fundit në Ferizaj janë shqiptuar masa ndëshkuese ndaj tre shoferëve për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit rrugor, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë dhe tejkalimin në vijë të plotë.
Dy shoferë ndalohen në Sojevë për tejkalim në vijë të plotë
Më 13 nëntor 2025, njësitë e Trafikut Rajonal dhe Stacioni Policor i Ferizajt kanë ndaluar dy shoferë në rrugën magjistrale Ferizaj–Gjilan, në fshatin Sojevë. Shoferi A.K. (50 vjeç) me veturën BMW 120 dhe D.I. (20 vjeç) me VW Golf, të dy me targa vendore, u kapën duke kryer tejkalim në vijë të plotë – një nga shkeljet më të rrezikshme në trafik.
Të dyve u është shqiptuar gjobë prej 200 eurosh, 2 pikë negative dhe heqje e patentë-shoferit për 3 muaj.
Shpejtësi ekstreme në zonë 40 km/h
Ndërkohë, më 15 nëntor 2025 rreth orës 01:06, në rrugën “Rexhep Bislimi”, policia ndaloi shoferin R.H. (25 vjeç), i cili me veturën Suzuki po lëvizte me 126 km/h, ndonëse kufizimi në atë zonë është vetëm 40 km/h.
Për këtë shkelje të rëndë, atij i është shqiptuar gjobë prej 400 eurosh, si dhe masë mbrojtëse – ndalim i drejtimit të mjeteve për 9 muaj në territorin e Republikës së Kosovës, pasi posedonte patentë-shoferi të huaj.