QKMF-Suharekë zgjeron shërbimet e Kujdesit Paliativ dhe vizitat mjekësore në shtëpi

13.11.2025

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Rexhep Kuçi” ka njoftuar qytetarët e Suharekës për orarin e ri të shërbimeve të Kujdesit Paliativ dhe vizitave mjekësore në shtëpi, duke u fokusuar në përkujdesjen për ata që jetojnë të vetmuar, të sëmurë ose të paaftë për t’u lëvizur.

Nga e hëna, shërbimet po ofrohen në këto orare:

  • Ditëve të punës: 08:00–21:00
  • Fundjavë: 08:00–20:00

“Ka njerëz pranë nesh që jetojnë në heshtje… Të vetmuar, të sëmurë, të shtrirë në shtrat, duke pritur një trokitje, një fjalë, dikë që kujdeset”, thuhet në njoftimin e QKMF-së.

Ky shërbim nuk është vetëm shëndetësor – është një kujdes njerëzor, një dorë e zgjatur për ata që nuk mund të lëvizin, dhe ngrohtësi për ata që shpesh ndjehen të harruar.

QKMF “Rexhep Kuçi” ka shprehur mirënjohje të thellë për ekipet shëndetësore, të cilat çdo ditë hyjnë në shtëpitë e qytetarëve dhe u japin më shumë se vetëm mjekim – u japin shpresë dhe mbështetje.

Qytetarët janë ftuar të përfitojnë nga këto shërbime dhe të kontaktojnë QKMF-në për vizita në shtëpi, duke përmirësuar kështu cilësinë e jetës së pacientëve më të rrezikuar.