Dyshohet për vjedhje të rëndë – Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e të dyshuarit në Prizren
Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar në qytetin e Prizrenit, ndërsa Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e të dyshuarit.
Sipas njoftimit zyrtar, Sektori i Hetimeve i Stacionit të Policisë në Prizren është duke zhvilluar hetime lidhur me këtë rast, i cili ka ndodhur më 22 shkurt 2025, rreth orës 19:00, në rrugën “Kamber Bruti”.
Policia ka njoftuar se një person i panjohur është hasur duke dalë nga shtëpia e të dëmtuarit, ndërsa nga brenda shtëpisë ka marrë para të gatshme dhe stoli ari me vlerë rreth 3,000 euro.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë është siguruar fotografia e të dyshuarit, por deri më tani nuk është arritur identifikimi i tij.
“Me qëllim të ndriçimit të rastit, Prokuroria Themelore në Prizren ka lëshuar autorizim, në pajtim me nenin 76, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), për publikimin e fotografisë së të dyshuarit në mediume televizive dhe rrjete sociale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia kërkon nga qytetarët që, nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në identifikimin apo arrestimin e të dyshuarit, të kontaktojnë autoritetet përmes numrit 192, përmes faqes zyrtare të Facebook-ut të Policisë së Kosovës, apo të paraqiten në cilindo stacion policor në vend.
Hetimet janë duke vazhduar nën drejtimin e Prokurorisë Themelore në Prizren, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.