KQZ njofton se kur do të shpallen rezultatet e balotazhit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të certifikimit të rezultateve për kuvendeve komunale pasi të kenë përfunduar të gjitha ankesat në PZAP, ndërsa ka bërë të ditur se shpallja e rezultateve përfundimtare nga raundi i dytë për kryetarë në 18 komuna do të bëhet më së largu pas dhjetë ditësh.
Më 9 nëntor në Kosovë u mbajt raundi i dytë për 18 komuna, në të cilat nuk kishte fitues në raundin e parë më 12 tetor, raporton KosovaPress.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka bërë të ditur se pas përfundimit të procesit të votimit dhe numërimit, materialet zgjedhore nga Qendrat e Votimit janë tërhequr dhe dërguar në Qendrat Komunale të Numërimit.
“Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në zgjedhjet lokale numërimi i votave për kryetarë të komunave bëhet në vendvotime dhe rezultatet evidentohen në formularë, të cilët pastaj publikohen nga KQZ-ja. Sipas rregullore zgjedhore të KQZ-së për qendrat komunale, në këto qendra do të bëhet verifikimi i rezultateve nga formularët të cilat janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve. Verifikimi i rezultateve ka filluar në të gjitha qendrat komunale të numërimit, do të bëhet në transparencë të plotë dhe në prezencë të vëzhguesve. Në këto momente, në platformën e rezultateve të KQZ-së ka filluar që të bëhet edhe publikimi i rezultateve pas verifikimit, i cili po bëhet në qendrat komunale të numërimit”, tha Elezi.