Mblidhet KQZ-ja, pritet të miratohet Plani Operacional për ditën e zgjedhjeve

08.11.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot mbledhjen e radhës, në të cilën pritet të shqyrtohen disa pika të rëndësishme që lidhen me procesin zgjedhor.

Sipas njoftimit nga KQZ, ndër pikat kryesore të rendit të ditës është shqyrtimi dhe miratimi i Planit Operacional për ditën e zgjedhjeve, dokument ky që përcakton të gjitha procedurat teknike e logjistike që sigurojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Po ashtu, gjatë mbledhjes do të bëhet shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit të Komisionit për Operacione Zgjedhore (KOZ), që ka të bëjë me shtyrjen e një afati të caktuar brenda procesit zgjedhor.

Mbledhja e sotme vlerësohet si një ndër më të rëndësishmet në kuadër të përgatitjeve për ditën e zgjedhjeve, ndërsa pritet që pas miratimit të dokumenteve, KQZ të dalë me detaje të reja për opinionin publik.