Raundi i dytë i zgjedhjeve, afati për votim përmes postës përfundon më 8 nëntor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se periudha e votimit përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash do të përfundojë më 8 nëntor 2025.
Në këtë raund, e drejta për të votuar përmes postës u takon 29,712 shtetasve të Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar nga 23 korriku deri më 29 gusht 2025.
KQZ ka bërë apel ndaj të gjithë votuesve të regjistruar jashtë Kosovës që ende nuk kanë pranuar pakon me fletëvotim, që të kontrollojnë kutitë e tyre postare, pasi sipas komunikimit me Postën e Kosovës, një numër i dërgesave të padorëzuara në disa shtete rezulton se kanë pasur njoftime për paraqitje, të cilat mund të jenë neglizhuar nga pranuesit.
Në përputhje me Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ garanton se të gjithë votuesve të regjistruar do t’u dërgohet pakoja përkatëse me fletëvotim përmes postës.
Çfarë përmban pakoja e votimit me postë:
- Fletëvotimin;
- Zarfin e fshehtësisë;
- Udhëzuesin me informacione për plotësimin e fletëvotimit dhe mënyrën e dërgimit;
- Zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.
KQZ thekson se detyrë e votuesit është që fletëvotimin e plotësuar ta dërgojë në njërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e rasteve, adresa e kutisë përkatëse është shënuar paraprakisht nga KQZ, por në rastet kur mungon, votuesit duhet ta plotësojnë vetë adresën e kutisë postare në shtetin ku ndodhen.
KQZ apelon për kujdes dhe respektim të afateve ligjore, duke kujtuar se votat e dërguara pas datës 8 nëntor nuk do të merren në konsideratë.