Policia arreston një person pas sulmit ndaj zyrtarëve dhe gjen 120 fishekë

01.11.2025

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person pas një incidenti ku dy zyrtarë policorë u lënduan. Ngjarja ka ndodhur të premten rreth orës 14:50 në rrugën “Lekë Dukagjini” në kryeqytet.

Sipas raportit zyrtar, i dyshuari mashkull kosovar ka shfaqur rezistencë aktive dhe ka kanosur zyrtarët policorë gjatë ndërhyrjes.

Gjatë bastisjes, tek i dyshuari janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri, dy karikatorë dhe rreth 120 fishekë.

Si pasojë e incidentit, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, për të cilat kanë marrë tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe rasti është nën hetime të mëtejshme nga Policia e Kosovës.

Policia bën apel te qytetarët që të respektojnë ligjin dhe të mos kanosin punonjësit e rendit, pasi çdo veprim i tillë përbën vepër penale dhe do të ndëshkohet me ligj.