Asambleja Komunale e Suharekës nesër pritet të shfuqizojë rregulloren për bonuset e zonimit

29.10.2025

Pas vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për të kërkuar rishqyrtim të Rregullores Nr. 01-Nr-016-56044 për bonuse të zonimit, Komuna e Suharekës diskutoi këtë çështje në mbledhjen e fundit të KPF-së.

Në këtë takim u shqyrtua mundësia e shfuqizimit të rregullores, duke u bazuar në konstatimet e ministrisë se akti komunal nuk është në përputhje me ligjin.

Sipas burimeve të SuharekaOnline, nesër, gjatë ditës së enjte, do të mbahet mbledhja e radhës e Asamblesë Komunale në Suharekë, ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës do të jetë edhe kërkesa për shfuqizimin e rregullores për bonuset e zonimit.

MMPHI ka konstatuar se rregullorja e miratuar nga Kuvendi Komunal më 29 gusht 2025 nuk përputhet me ligjin dhe kërkon nga Komuna e Suharekës të rishqyrtojë dokumentacionin. Në një shkresë zyrtare drejtuar kryetarit të Komunës, Bali Muharremaj, dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal, Bexhet Kuqi, ministria thekson se vendimi i komunës mungon në arsyetim që të justifikojë nevojën për hartimin e rregullores për bonuse të zonimit.

Dokumenti, i nënshkruar nga drejtoresha e Departamentit Ligjor, Florije Kika, dhe zyrtarja ligjore e Divizionit për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Legjislacionit, Shendrita Latifi, vlerëson se Komuna nuk ka përmbushur obligimin ligjor për ta bazuar rregulloren në dokumentet e planifikimit hapësinor, si “Plani Zhvillimor i Suharekës 2021–2029” dhe “Harta Zonale e Suharekës 2022–2033”.

MMPHI thekson se rregullorja e bonusit të zonimit duhet të jetë në përputhje të plotë me kërkesat e Hartës Zonale, ndërsa versioni i miratuar nga Kuvendi Komunal nuk e respekton këtë dokument bazë. Ministria sqaron se tabela e ilustruar në projekt-rregulloren e bonusit të zonimit është përdorur vetëm për konsultim dhe nuk mund të jetë pjesë përbërëse e rregullores komunale.

Ministria kërkon nga Komuna e Suharekës që të përmirësojë dokumentacionin dhe të zbatojë raportimin periodik mbi zbatimin e planifikimit hapësinor, në mënyrë që rregulloret e ardhshme të jenë të bazuara në dokumente ligjore dhe planifikuese. Në përfundim, MMPHI nënvizon se akti komunal nuk përmbush kriteret e ligjshmërisë dhe kërkon nga Kuvendi Komunal ta rishqyrtojë dhe ta përshtatë me Ligjin Nr. 08/L-284 për Shqyrtimin Administrativ të Aktëve të Komunave, si dhe me rregulloret ekzistuese të planifikimit hapësinor.

Rikujtojmë se kjo rregullore ishte miratuar në mbledhjen e tetë të rregullt të Asamblesë Komunale në Suharekë. Vendimi u mor në tentimin e katërt, me 15 vota për, 13 kundër dhe një abstenim. Përveç votave të asambleistëve të pozitës, rregullorja mori mbështetjen edhe të dy asambleisteve nga radhët e LDK-së, Bulëza Kuqi dhe Elmaze Bytyçi, gjë që rezultoi vendimtare për kalimin e saj.

Megjithatë, vendimi ka ngjallur reagime të forta nga opozita. Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liridon Fandaj, e cilësoi miratimin e rregullores si rezultat të “shpëtimit” me dy vota nga LDK, duke i quajtur ato “patericat e pushtetit”.

“Kjo rregullore nuk është për qytetarët, por për xhepat e disa të afërtve të pushtetit.
Më shumë beton, më pak gjelbërim.
Më shumë marrëveshje të dyshimta, më pak transparencë.
Më shumë klientelizëm, më pak interes publik.
Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! do ta kundërshtojmë çdo hap të saj. Suhareka nuk ka nevojë për pazare të ndërtimit, por për planifikim urban që i shërben njerëzve. Qyteti ynë nuk blihet me dy vota!”, u shpreh ai.

Rregullorja e re synon të krijojë kritere të qarta dhe transparente për bonuset e zonimit, të cilat Komuna do t’i ofrojë si stimuj për investitorët në këmbim të përfitimeve publike. Këto përfitime përfshijnë rritjen e hapësirave të gjelbra, përmirësimin e infrastrukturës, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, tokës bujqësore si dhe krijimin e hapësirave publike e sociale nga të cilat përfiton komuniteti.

Sipas dokumentit zyrtar, bonuset e zonimit mund të përfshijnë:

  • Zvogëlim të taksave komunale dhe tarifave të infrastrukturës;
  • Rritje të koeficientit ndërtimor dhe lartësisë së ndërtesave;
  • Zvogëlim të kërkesave për sipërfaqe minimale të parcelës;
  • Mundësi për densitet më të lartë ndërtimi në përputhje me Hartën Zonale të Komunës për periudhën 2022–2030.

Për aplikimin e bonuseve, investitorët duhet të dorëzojnë projekte të plota, përfshirë studimet e fizibilitetit dhe vlerësimet mjedisore. Kërkesat do të shqyrtohen nga një komision i posaçëm, ndërsa marrëveshjet për përdorimin e bonuseve do të nënshkruhen nga Kryetari i Komunës.