Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit shpallen zonë e mbrojtur – territori i mbrojtur në Kosovë arrin në 12.4%
Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se është marrë një vendim me rëndësi të madhe në aspektin e ruajtjes së natyrës dhe biodiversitetit në Kosovë.
Sipas tij, javën e kaluar është nënshkruar vendimi për mbrojtje paraprake të zonës “Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit”, një hap i cilësuar si strategjik për të ardhmen mjedisore të vendit.
Me këtë vendim, Kosova ngjitet në krye të listës së shteteve të Ballkanit Perëndimor për nga përqindja e territorit nën mbrojtje të natyrës. “Republika e Kosovës tashmë bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit të mbrojtur në rajon,” ka deklaruar ministri Durmishi.
Zona e shpallur nën mbrojtje përfshin një sipërfaqe prej 192.19 km², të cilat tani do të trajtohen me status të posaçëm ligjor. Kjo rrit përqindjen e përgjithshme të territorit të Kosovës nën mbrojtje në 12.4%, një tregues që sipas ministrisë, reflekton prioritizimin e ruajtjes së vlerave natyrore.

Sipas studimit të kryer për një periudhë njëvjeçare në terren, është vlerësuar se “Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit” përmbajnë pasuri të rrallë natyrore, biodiversitet të lartë dhe peizazhe me rëndësi të veçantë ekologjike, shkencore dhe potencial turistik. Kjo e bën zonën të rëndësishme jo vetëm për ekosistemet lokale, por edhe për kërkim shkencor dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Durmishi ka theksuar se ky është vetëm një nga hapat që qeveria synon të marrë drejt rritjes së kujdesit për natyrën dhe zonat e mbrojtura, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit është pjesë e strategjisë afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie të qytetarëve.
Me vendosjen e kësaj zone nën mbrojtje, pritet që aktivitetet ndërtimore, shfrytëzimi komercial dhe ndërhyrjet e pakontrolluara të kufizohen, ndërsa fokusi të kalojë në ruajtjen, monitorimin dhe promovimin e potencialit natyror dhe turistik të saj.