Kroacia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

24.10.2025

Parlamenti i Kroacisë ka miratuar sot ndryshimet në Aktin e Mbrojtjes, duke rikthyer trajnimin bazë ushtarak të detyrueshëm. Vendimi u miratua me 84 vota pro, 30 abstenime dhe 11 kundër, duke konfirmuar kështu rikthimin e shërbimit ushtarak pas shumë vitesh pauze.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, stërvitja bazë ushtarake (TVO) do të zgjasë dy muaj. Thirrjet e para pritet të nisin deri në fund të këtij viti, ndërsa grupi i parë i rekrutëve do të sistemohet në kazermat e Knin, Slunj dhe Požega në fillim të vitit të ardhshëm. Planifikohet që çdo vit të thirren rreth 4,000 të rinj, të ndarë në pesë grupe.

Të gjithë të rinjtë 18-vjeçarë do të regjistrohen në regjistrin ushtarak dhe do të ftohen për stërvitje në vitin kur mbushin 19 vjeç. Përpara fillimit të trajnimit, ata do t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor për të vlerësuar gjendjen shëndetësore. Ky kontroll do të organizohet afër vendbanimit të secilit për të lehtësuar pjesëmarrjen.

Rrethana të caktuara mund të sjellin shtyrje deri në moshën 29-vjeçare, ose përjashtim të plotë nga shërbimi, si në rastet e studimeve afatgjata, angazhimit sportiv elitar, problemeve shëndetësore, apo statusit fetar (për priftërinj, dhjakë dhe murgj).

Përjashtimisht, rekrutët deri në moshën 30 vjeç mund të thirren, nëse shërbimi i tyre ishte shtyrë më herët.

Personat që për arsye morale ose fetare nuk dëshirojnë të marrin pjesë në trajnimet ushtarake, do të mund të kërkojnë shërbim alternativ civil. Në këtë rast, trajnimet zgjasin tre deri në katër muaj, në kuadër të njësive të mbrojtjes civile ose strukturave lokale.

Rekrutët që marrin pjesë në stërvitjen ushtarake do të paguhen 1,100 euro në muaj. Për ata që zgjedhin shërbimin civil, pagesa do të jetë më e ulët dhe do të rregullohet me akt nënligjor.

Gjithashtu, personat që përfundojnë stërvitjen ushtarake do të kenë përparësi punësimi në institucionet shtetërore dhe ato lokale, nëse konkurrojnë në kushte të barabarta me kandidatët e tjerë.

Gratë nuk janë të detyruara të marrin pjesë, por mund të aplikojnë vullnetarisht dhe të shërbejnë në ushtri ose rezervë.

Personat që nuk i përgjigjen thirrjes pa një arsye të justifikuar mund të gjobiten nga 250 deri në 1,320 euro. Në raste të mosparaqitjes, policia mund të lëshojë urdhër detyrues.

Mbështetësit e rikthimit të shërbimit ushtarak argumentuan se Kroacia ka nevojë të forcojë rezervën e Forcave të Armatosura dhe të rrisë gatishmërinë kombëtare. Ndërkohë, kundërshtarët e cilësuan ndryshimin si “vendim politik pa arsye të qarta”, duke paralajmëruar trajtim të pabarabartë mes atyre që zgjedhin shërbimin ushtarak dhe atyre civil.

Me këtë vendim, Kroacia i bashkohet një numri shtetesh evropiane që po ringjallin shërbimin ushtarak në kontekstin e tensioneve të rritura të sigurisë në kontinent.