Kosova, Shqipëria dhe Kroacia drejt konkretizimit të marrëveshjes së mbrojtjes
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po punojnë për ta zbatuar në praktikë marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar më 18 mars në Tiranë nga ministrat përkatës.
Pas dakordimit në letër, aktualisht grupe të ekspertëve nga tre vendet po hartojnë planin e zbatimit të deklaratës së përbashkët.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se më 18 korrik në Tiranë është mbajtur takimi i grupit zbatues për ta detajuar planin në nivel operacional. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka konfirmuar se në shtator pritet t’i paraqitet për miratim ministrive të tre vendeve udhëzuesi që është drejt finalizimit.
Deklarata e nënshkruar nga Ejup Maqedonci, Pirro Vengu dhe Ivan Anushiq përfshin katër pika kryesore bashkëpunimi: promovimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe industrisë përkatëse; rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; kundërpërgjigjen ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë; si dhe mbështetjen e plotë për integrimin euroatlantik.
Sipas dokumentit, qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i pozicionimit strategjik të vendeve pjesëmarrëse për t’u përballur me kërcënimet e sigurisë dhe për të realizuar objektivat e përbashkëta në fushën e mbrojtjes.