Bajselmani: Të gjitha shkollat e Suharekës janë furnizuar me lëndë djegëse, jemi të përgatitur për çdo situatë
Në një intervistë për SuharekaOnline, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani, ka folur për përgatitjet e shkollave për sezonin e dimrit dhe ecurinë e procesit mësimor në komunë.
Bajselmani ka bërë të ditur se të gjitha shkollat e Komunës së Suharekës janë furnizuar me lëndë djegëse – dru, duke siguruar se procesi mësimor do të zhvillohet pa asnjë pengesë gjatë muajve të ftohtë.
“Furnizimi me lëndë djegëse është bërë në të gjitha shkollat e komunës. Kontrata për furnizim është aktive tash e tri vite dhe në rast nevoje jemi të përgatitur për çdo shtesë të mundshme. Nuk do të ketë asnjë problem me ngrohjen nëpër shkolla”, ka deklaruar Bajselmani për SuharekaOnline.
Tutje, drejtori ka theksuar se mësimi ka filluar në mënyrë të rregullt në të gjitha institucionet arsimore të komunës, pa ndonjë pengesë në procesin mësimor.
Bajselmani ka shtuar se Drejtoria e Arsimit është duke punuar vazhdimisht për të siguruar kushte më të mira për nxënësit dhe stafin arsimor, në mënyrë që procesi edukativo-arsimor të zhvillohet me cilësi dhe efikasitet.