Vrau vajzën e tij me thikë, ngritet aktakuzë ndaj shtetasit turk M.G.
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.G., shtetas turk, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, sipas nenit 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 6 maj 2025, rreth orës 05:30 të mëngjesit, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, në banesën ku jetonte së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, i pandehuri ka privuar nga jeta vajzën e tij, Sh.G.
Ngjarja ka ndodhur menjëherë pas ritualit të faljes së namazit, kur i pandehuri mori një thikë kuzhine me teh rreth 23 centimetra dhe sulmoi në gjumë viktimën, duke e prerë në qafë.
Në momentin që viktima filloi të bërtasë, u zgjua vajza tjetër, A.G., e cila tentoi ta ndalojë, por edhe ajo u godit me thikë duke marrë plagë në qafë. Nga britmat u zgjua edhe bashkëshortja e tij, R.G., e cila ndërhyri dhe u lëndua në fytyrë dhe dorën e majtë gjatë përleshjes me të pandehurin.
Pas një përleshjeje, bashkëshortja arriti ta bllokonte në dhomën e gjumit dhe të thërriste ndihmën.
Si pasojë e plagëve të marra, viktima Sh.G. ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit të plotë dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Aktakuzë ndaj gjashtë personave për trafikim të narkotikëve në Suharekë, njëri akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje