Vdes një shtetas zviceran në Aeroportin e Prishtinës

23.10.2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ku një shtetas zviceran ka ndërruar jetë derisa ishte duke pritur për të udhëtuar për në Zvicër.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 22 tetor 2025, rreth orës 21:00, në hapësirat e aeroportit në Lipjan.

Policia bën të ditur se viktimës i është keqësuar papritmas gjendja shëndetësore, ndërsa ndihma mjekësore i është ofruar menjëherë në vendngjarje, por përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk ka arritur të mbijetojë.

“Është raportuar se një mashkull, shtetas zviceran, i cili ka qenë duke pritur për të udhëtuar për në Zvicër, i është keqësuar gjendja shëndetësore. I është ofruar ndihma mjekësore, por pastaj ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.