“Dhunë në familje” – 25 vjeçari në Prizren godet edhe policët, shkatërron veturën dhe tenton të vetlëndohet

21.10.2025

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë në Kosovë përballen me kërcënime dhe sulme gjatë përmbushjes së detyrave të tyre.

Një rast i tillë është shënuar mbrëmjen e së hënës në fshatin Zhur të Prizrenit, ku një incident i raportuar fillimisht si dhunë psikike në familje ka eskaluar në një sulm fizik ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Burime nga Policia kanë bërë të ditur se rasti ka ndodhur më 20 tetor, rreth orës 21:40, kur patrulla policore është thirrur për një rast të dhunës në familje. Sipas informacioneve, në vendngjarje është gjetur i dyshuari Ç.S., rreth 25 vjeç, i cili ndodhej nën kontrollin e babait të tij, L.L., 52 vjeç, që kishte njoftuar autoritetet për sjelljen e të birit.

Në momentin kur policët kanë tentuar të vendosin prangat, Ç.S. ka bërë rezistencë aktive, duke goditur një nga zyrtarët policorë me bërryl dhe duke i shkaktuar lëndime trupore të lehta.

Pavarësisht rezistencës së tij, zyrtarët kanë arritur ta neutralizojnë dhe ta transportojnë me automjetin zyrtar drejt stacionit policor. Mirëpo, gjatë rrugës, i dyshuari ka vazhduar të jetë agresiv, duke dëmtuar pjesë të brendshme të veturës dhe duke sulmuar sërish policët.

Sjellja e tij agresive nuk ka ndalur as në stacionin policor, ku Ç.S. ka goditur ormanët metalikë me kokë dhe ka tentuar të vetlëndohet, ndonëse ishte i prangosur.

Menjëherë pas incidentit, është njoftuar hetuesi kujdestar dhe njësia rajonale e hetimeve. Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është vendosur që ndaj të dyshuarit të iniciohen procedura penale për tri vepra: “Dhunë në familje”, “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

I dyshuari, që sipas Policisë ishte nën ndikim të alkoolit, është ndaluar për 48 orë, ndërsa polici i lënduar ka marrë trajtim mjekësor.

Hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.