Sot protestë në Tiranë në mbështetje të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë

17.10.2025

Me fillim nga ora 17:00, në kryeqytetin e Shqipërisë do të mbahet një protestë në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim dhe po përballen me gjykim në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Protesta është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe, sipas njoftimit të bërë tri ditë më parë, pritet që mbi 60 autobusë të nisen nga qytete të ndryshme të Kosovës drejt Tiranës për të marrë pjesë në këtë tubim.

Qëllimi i protestës është kundërshtimi i asaj që organizatorët e cilësojnë si padrejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ky nuk është tubimi i parë i këtij lloji – protesta të ngjashme janë mbajtur më herët edhe në Prishtinë, si dhe para selisë së Gjykatës Speciale në Hagë, ku mbështetësit kanë kërkuar drejtësi dhe lirimin e udhëheqësve të UÇK-së.

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe protestë të qetë, ndërsa mbetet të shihet se sa qytetarë do t’i përgjigjen kësaj thirrjeje sot në Tiranë.