Vraniq, arrestohen shitësi dhe blerësi i votave, pazari ishte 120 euro

13.10.2025

Më 12 tetor 2025, policia ka shoqëruar në stacionin policor dy persona të dyshuar për dhënie dhe marrje të ryshfetit në lidhje me procesin e votimit.

Sipas njoftimit zyrtar, njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka ofruar, ndërsa tjetri ka pranuar një shumë prej 120 eurosh, me qëllim që të votohet një person i caktuar në zgjedhje.

Të dyshuarit (emra të njohur për redaksinë) shtetas kosovarë, janë intervistuar nga hetuesit, ndërsa me vendim të prokurorit të rastit janë liruar në procedurë të rregullt.

SuharekaOnline ka siguruar audio dhe video incizime të cilat do të publikohen së shpejti ku shihet personi duke paguar për vota, që në këtë rast është i afërm i një kandidate për asamble komunale. Sipas dëshmive që ka siguruar redaksia rasti ka ndodhur në njërin nga resturantet në periferi të fshatit Vraniq ku blerësi i votave është filmuar duke i dhënë paratë nën tavolinë në këmbim të votave të dëshmuara me foto/video.

Policia e Kosovës po vazhdon hetimet lidhur me rastin, ndërsa ka bërë thirrje që qytetarët të denoncojnë çdo përpjekje për blerje të votës apo ndikim të paligjshëm në procesin zgjedhor.