Bali Muharremaj e Ardian Shala ballafaqohen në balotazh më 9 nëntor

13.10.2025

Të dielën e 12 tetorit, 2025 janë mbajtur zgjedhjet lokale ku qqytetarët patën mundësinë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për 4 vitet e ardhshme.

Nga numërimi i votave që u bë dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëhet e ditur se rreth 19 komuna nuk arritën t’i zgjedhin udhëheqësit e tyre në rundin e parë që u mbajt dje.

Rundi i dytë, siç kishe paralajmëruar KQZ, do të mbahet të dielën e 9 nëntorit.

Atë ditë gara do të zhvillohet mes dy kandidatëve që kanë marrë më së shumti vota.

Në Komunën e Suharekës asnjë kandidat nuk ka arritur shumicën absolute, prandaj kjo komunë do të shkojë në balotazh.

Nga 87 vendvotime të procesuara (100%), rezultati është si vijon:

Bali Muharremaj (AAK) – 45,70% (11,929 vota)
Ardian Shala (LDK) – 31,65% (8,261 vota)
Hamdi Bytyçi (LVV) – 13,53% (3,531 vota)
Dardan Berisha (PDK) – 9,11% (2,379 vota)

Me këtë rezultat, Suhareka pritet të jetë arenë e garës së dytë zgjedhore mes kandidatit të AAK-së, Bali Muharremaj, dhe atij të LDK-së, Ardian Shala, në rundin e balotazhit që do të mbahet pas katër javësh.