Greikoc, gjendet një granatë dore – FSK bën deminimin e saj

06.10.2025

Një ngjarje e pazakontë është raportuar mesditën e së dielës në fshatin Greikoc të Suharekës.

Sipas njoftimit të Policisë, një qytetar ka hasur në një mjet të pashpërthyer, konkretisht një granatë dore, gjatë ditës së 5 tetorit 2025, rreth orës 12:33.

Pas raportimit, njësia policore ka reaguar menjëherë duke siguruar vendin e ngjarjes dhe duke parandaluar çdo rrezik të mundshëm për qytetarët përreth.

Më pas, në vend ka dalë njësiti për deminim i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili ka bërë tërheqjen dhe neutralizimin e mjetit të pashpërthyer në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt.

Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk është raportuar për persona të lënduar apo dëme materiale.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që, në rast të hasjes në mjete të ngjashme, të mos i prekin ato dhe të lajmërojnë menjëherë Policinë apo njësitet përkatëse të FSK-së, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.