Tuberkulozi sfidë për shëndetin publik në Kosovë, gjatë vitit 2024 u regjistruan 548 raste të reja

25.09.2025

Në vitin që e lam pas, në Kosovë janë regjistruar 548 raste të reja me tuberkuloz, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Me moton “Mushkëri të shëndetshme, jetë e shëndetshme”, shënohet Dita Botërore e Mushkërive. Kjo ditë synon rritjen e ndërgjegjësimit për sëmundjet që prekin mushkëritë dhe ndikimin e tyre në jetën e miliona njerëzve në botë.

Në Ditën Botërore të Mushkërive, Ministria ka theksuar se kjo sëmundje mbetet një sfidë e rëndësishme për shëndetin publik.

“Edhe në Kosovë, tuberkulozi mbetet sfidë për shëndetin publik. Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 548 raste me një incidencë prej 34.3 për 100,000 banorë.

Diagnostikimi dhe trajtimi i tuberkulozit ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore të vendit tonë.

Përveç tuberkulozit, sëmundjet e tjera të organeve të frymëmarrjes, përfshirë astmën dhe bronkitin kronik, vazhdojnë të jenë shkaktarë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend.”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sëmundjet e mushkërive përfshijnë një gamë të gjerë çrregullimesh që dëmtojnë organet e frymëmarrjes dhe aftësinë e trupit për të marrë oksigjen. Ato janë ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë në botë. Sipas raportit global për sëmundjet respiratore, miliona persona preken çdo vit nga sëmundje si: sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK), astma, pneumonia, tuberkulozi dhe kanceri i mushkërive, të cilat shkaktojnë vdekje në shkallë të gjerë.

Përveç tuberkulozit, sëmundjet e tjera të organeve të frymëmarrjes, përfshirë astmën dhe bronkitin kronik, vazhdojnë të jenë shkaktarë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend.