KQZ akrediton mbi 18 mijë vëzhgues për zgjedhjet lokale
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka nisur procesin e shpërndarjes së 44 mijë pakove me fletëvotime për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, të cilat u janë dërguar votuesve të regjistruar jashtë Kosovës.
Foto: Ilustrim
Sipas raportit të prezantuar në mbledhjen e fundit të KQZ-së, rreth 41,879 pako janë shpërndarë përmes Postës së Kosovës, ndërsa 2,050 të tjera përmes postës së shpejtë.
Çdo pako e dërguar përmban fletëvotimet, zarfin e fshehtësisë, udhëzuesin me instruksione për plotësimin e fletëvotimeve dhe procedurën e votimit përmes postës, zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës. Votuesit jashtë Kosovës duhet që pakon e plotësuar ta dërgojnë në njërën nga kutitë postare të KQZ-së.
Në shumicën e rasteve, adresat e kutive postare janë shënuar paraprakisht nga KQZ. Megjithatë, aty ku kjo nuk është bërë, votuesit duhet të plotësojnë vetë adresën e kutisë postare përkatëse.
Procesi i votimit përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe do të zgjasë deri më 11 tetor 2025. Ky mekanizëm është i vlefshëm vetëm për 43,933 qytetarë që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit.
Në të njëjtën mbledhje, KQZ ka marrë vendim për akreditimin e 18,041 vëzhguesve të 51 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje.
Për nga numri i vëzhguesve të akredituar prin Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 4,328, e ndjekur nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) me 3,915 dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 3,820. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të ketë 2,632 vëzhgues, ndërsa partitë tjera kanë numër dukshëm më të vogël të përfaqësuesve në terren.