KQZ mbikëqyrë fazën përfundimtare të shtypjes së fletëvotimeve për Zgjedhjet Lokale

24.09.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së mërkurë ka përcjellur nga afër fazën përfundimtare të fletvotimeve të cilat po punohen në shtypshkronjën “Cetis” në Celje të Sllovenisë.

Një delegacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i përbërë nga anëtarët Sami Kurteshi, Ilir Gashi, Sami Hamiti dhe Alfred Kinolli, së bashku me zyrtarë të Sekretariatit të KQZ-së, realizuan vizitë pune në shtypshkronjën “Cetis” në Celje të Sllovenisë, për të mbikëqyrur fazën përfundimtare të procesit të shtypjes së fletëvotimeve për zgjedhjet e 12 tetorit 2025.

Gjatë qëndrimit në këtë shtypshkronjë të specializuar për dokumente me siguri të lartë, delegacioni i KQZ-së është njohur nga afër me procedurat dhe standardet që po zbatohen në prodhimin e fletëvotimeve për dy proceset zgjedhore, atë për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Në bazë të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale do të shtypen gjithsej 3,600,820 fletëvotime, nga të cilat 1,800,410 për secilën lloj të zgjedhjeve. Ky numër përfshin fletëvotimet për të gjitha mënyrat e votimit: në vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, për personat me nevoja të veçanta, votimin me postë dhe rezervat.

Në këtë proces zgjedhor, është paraparë që të prodhohen 13% më pak fletëvotime krahasuar me numrin e përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote, që sipas Listës Votuese të certifikuar nga KQZ arrin në 2,069,098 votues. Kjo nënkupton një reduktim prej 268,688 fletëvotimesh nga shifra totale.

Sipas të dhënave të Listës Votuese 2,025,105 qytetarë do të votojnë në vendvotimet brenda territorit të Republikës së Kosovës, ndërsa 43,993 votues janë regjistruar për të votuar përmes postës nga jashtë vendit.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, të shpërndara në të gjithë vendin, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit janë të dedikuara për votimin e rregullt, me 2,571 vendvotime, ndërsa 38 Qendra të Votimit janë të destinuara për votimin me kusht, të cilat përmbajnë 54 vendvotime në total.

Rikujtojmë se në zgjedhjet e 12 tetorit të vitit 2025, në Komunën e Suharekës pritet të votojnë 69,770 qytetar, prej tyre 3,325 nga diaspora.