Cila bankë ofron kamatat më të ulëta? BQK lanson platformën për krahasimin e shërbimeve bankare

17.09.2025

Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar të mërkurën një platformë të re digjitale, e cila u mundëson qytetarëve të krahasojnë produkte dhe shërbime financiare nga një gamë e gjerë institucionesh.

Cila bankë ofron kamatat më të ulëta? BQK lanson platformën për krahasimin e shërbimeve bankare Foto: Ilustrim

Platforma, e qasshme në adresën krahaso.bqk-kos.org, konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt transparencës dhe fuqizimit të konsumatorëve.

Gjatë ceremonisë së lansimit, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, theksoi rëndësinë e këtij zhvillimi, duke e cilësuar atë si një hap konkret drejt avancimit të transparencës dhe mbrojtjes së interesit të konsumatorëve.

Çfarë përmban platforma?

Platforma përfshin të dhëna nga 50 institucione financiare, duke përfshirë bankat komerciale, institucionet mikrofinanciare, institucionet jobankare dhe kompanitë e sigurimeve. Ajo pasqyron 17 kategori produktesh, të ndara në 60 nënprodukte dhe 203 ndarje të detajuara, duke ofruar mbi 10 mijë informacione për krahasim dhe vendimmarrje.

Konsumatorët kanë mundësinë të krahasojnë tarifat dhe normat e interesit në dy mënyra: sipas produkteve specifike ose sipas institucioneve financiare. Tarifat e publikuara përcaktohen nga vetë institucionet, të cilat mbajnë përgjegjësinë për saktësinë dhe përditësimin e të dhënave.

Rëndësia e platformës

Përveç funksionit informues, kjo platformë shërben edhe si mjet mbikëqyrës për BQK-në, duke siguruar që institucionet financiare të ofrojnë të dhëna të sakta dhe të përputhshme me rregulloret në fuqi. Në këtë mënyrë, BQK synon të nxisë konkurrencën e ndershme në tregun financiar, të forcojë mbrojtjen e konsumatorëve dhe të rrisë edukimin financiar në vend.

E zhvilluar me mbështetjen e Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), platforma është dizajnuar si një web-aplikacion i lehtë për t’u përdorur nga qytetarët, me qëllim që ata të kenë më shumë informacione, të negociojnë kushte më të favorshme dhe të marrin vendime të mirëinformuara për financat e tyre.

Ky hap shihet si pjesë e strategjisë afatgjatë të Bankës Qendrore të Kosovës për të forcuar qasjen në financa, duke u dhënë konsumatorëve mjetet e nevojshme për të qenë më të mbrojtur dhe më të ndërgjegjshëm në vendimet e tyre financiare.