Sallahu: Gjykata Kushtetuese ka dy zgjidhje për konstituimin e Kuvendit
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka dhënë një deklaratë të fortë lidhur me ngërçin në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Foto: Ilustrim
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka vetëm dy zgjidhje kushtetuese për këtë situatë, dhe çdo vendim tjetër do të ishte kundër-kushtetues. Sallahu theksoi se vendi nuk duhet të jetë i varur nga një subjekt politik që po minon rendin kushtetues.
Opsioni i parë: Përfundimi i konstituimit pas dorëzimit të Listës Serbe
Sipas Sallahut, zgjidhja e parë bazohet në nenin 67, paragrafi 4 i Kushtetutës. Kjo do të thotë që Gjykata Kushtetuese duhet të vlerësojë se refuzimi i Listës Serbe për të propozuar kandidatin e saj për nënkryetar të Kuvendit është një heqje dorë nga ky nominim. Nëse kjo situatë vlerësohet në këtë mënyrë, atëherë Kuvendi i Kosovës konsiderohet i konstituuar plotësisht.
Një analogji e ngjashme, sipas Sallahut, është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për krijimin e qeverisë, ku mosparaqitja e mandatarit nga subjekti fitues i zgjedhjeve u konsiderua si humbje e të drejtës kushtetuese për ta paraqitur atë.
Opsioni i dytë: Shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme
Opsioni i dytë, sipas Sallahut, lidhet me pamundësinë e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve. Meqenëse Kuvendi ka përdorur tashmë procedurën e shortit tri herë, e cila është parashikuar në Rregulloren e Kuvendit, aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese është ekzekutuar plotësisht. Për shkak të mungesës së vullnetit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin, Gjykata duhet t’i japë autorizim Presidentes për të shpallur zgjedhje të parakohshme, duke u bazuar në nenin 82 të Kushtetutës.
Sallahu theksoi se çdo vendim tjetër që do të merrte Gjykata do të ishte kundër-kushtetues dhe do ta bënte Republikën e Kosovës të varur nga një subjekt politik, i cili çdo ditë po minon rendin kushtetues të vendit.