Zvicër, 29-vjeçari kosovar plagoset rëndë në një klub nate

01.09.2025

Një grindje e dhunshme ka shpërthyer të dielën mbrëma në një klub nate në anën e pasme të rrugës Poststrasse në qytetin e St. Gallen, ku një kosovar 29-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë.

Sipas njoftimit të Policisë së Qytetit dhe asaj Kantonale, shërbimet e emergjencës kanë gjetur viktimën në vendngjarje me lëndime serioze në fytyrë dhe qafë, të shkaktuara me sa duket nga një objekt i mprehtë. Ai ka marrë trajtimin e parë mjekësor në vend dhe më pas është transportuar menjëherë në spital për kujdes të mëtejmë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se tre shtetas zviceranë, të moshës 17, 23 dhe 26 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në incident, fillimisht u larguan nga vendi i ngjarjes, por janë ndaluar dhe arrestuar pak më vonë në afërsi, shkruan urgjent.com.

Policia e Kantonit St. Gallen, nën drejtimin e Zyrës së Prokurorit Publik të kantonit, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti të rëndë. Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje mbi motivet e përplasjes apo lidhjet e mundshme mes të përfshirëve.