Zhvillimet në Kosovë, emisari i Francës, Troccaz takon Krasniqin, Abdixhikun dhe Haradinajn

27.08.2025

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar sot një takim me të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, si dhe me ambasadorin francez në Prishtinë, Olivier Guérot.

Ai ka bërë të ditur se biseda është fokusuar në zhvillimet e fundit politike në vend, duke përfshirë bllokadën institucionale dhe pasojat e qeverisjes populiste. Abdixhiku theksoi se LDK-ja nuk mbështet praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues të Kosovës, duke shtuar se ata që e kanë nisur këtë rrugë duhet të mbajnë përgjegjësi për krizat e shkaktuara.

Në të njëjtën ditë, emisari francez është pritur edhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Ai ka falënderuar Troccaz për vëmendjen që Franca i kushton Kosovës dhe rajonit, duke theksuar se rruga më e drejtë për të mbyllur kapitullin e Ballkanit Perëndimor është integrimi sa më i shpejtë i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Krasniqi ka folur gjithashtu për nevojën e institucioneve funksionale dhe dialogut konstruktiv, duke rikujtuar se PDK ka dhënë kontributin e saj për zhbllokimin e situatës me votimin e kryetarit të Kuvendit. Ai falënderoi ambasadorin Guérot dhe zyrtarët francezë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke theksuar përkushtimin e PDK-së për stabilitet dhe orientim evropian.

Takim me emisarin francez ka zhvilluar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai njoftoi se diskutimet janë përqendruar në proceset politike dhe të sigurisë që po kalon Kosova dhe rajoni. Haradinaj vlerësoi rolin e Francës në përpjekjet e Kosovës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim, duke e cilësuar atë si një partnere të rëndësishme në shumë fusha. Ai shprehu mirënjohje për angazhimin e Troccaz dhe përkushtimin e shtetit francez ndaj Kosovës.