Zvicër, në statistika të vrasjeve të grave, kosovarët renditen të dytët
Fjala vrasje ngjall shqetësim. Është një term i ftohtë, i rëndë, që flakon vdekjen. Bashkë me fjalë të tjera si gjenocid apo masakër, vrasja është një fjalë që ne preferojmë ta shmangim.
Do të donim të flisnim për gjëra më të bukura, për diellin, familjen, miqtë, por realiteti na godet sërish e sërish.
Ngjarjet tronditëse të vrasjeve të grave na prekin thellë sa herë që ndodhin. Kohët e fundit, një lajm i tmerrshëm erdhi nga Corcelles, Neuchâtel në Zvicër. Një burrë algjerian vrau ish-gruan dhe dy vajzat e tij me thikë. A mjafton fjala “vrarë” për të përshkruar këtë akt të tmerrshëm? Apo duhet të përdorim “masakruar”? Dhe më e dhimbshmja është se lajme të tilla po shtohen.
Në Zvicër, këtë vit kanë ndodhur 22 vrasje të grave dhe vajzave. Ajo që është veçanërisht shqetësuese për ne, si kosovarë, janë shifrat mbi autorët e dyshuar. Nga 15 prej tyre, shtatë janë zviceranë, por pas tyre, grupi i dytë më i madh i huaj janë kosovarët. Dy autorë të dyshuar për vrasje të grave janë nga Kosova. Kjo e dhënë vë në pah një problem serioz që nuk njeh kufij e as shtetësi.
Rasti më i freskët është në prill të këtij viti një 42 vjeçar nga Kosova vrau gruan e tij me katër plumba dhe më pas ka kryer vetëvrasje me një plumb. Ngjarja ka ndodhur pasi burri ka shkuar në shtëpinë ku gruaja punonte si pastruese dhe është përballur me pronarin e pronës, i cili i ka kërkuar të largohet. Pas këtij incidenti, ai ka qëlluar bashkëshorten dhe më pas ka vrarë veten në katin e sipërm të shtëpisë.
Dhuna ndaj grave nuk është një problem vetëm i brendshëm i Kosovës, por një plagë shoqërore që shfaqet kudo ku jetojmë. Ajo shkon përtej kufijve dhe tregon se mentaliteti i gabuar mbi rolin e gruas, pushtetin dhe kontrollin, është i rrënjosur thellë.
Si shoqëri, ne duhet të reflektojmë thellë mbi këto të dhëna. Përveç dënimit të ashpër të këtyre akteve, duhet të kuptojmë se dhuna ndaj grave nuk është një “çështje private”. Ajo është një përgjegjësi kolektive. Duhet të edukojmë brezat e rinj për barazi gjinore dhe respekt për jetën.