Suharekë, mbahet dëgjimi publik për buxhetin 2026 me kryetarët e fshatrave

21.08.2025

Në Komunën e Suharekës është mbajtur sot dëgjimi publik me kryetarët e fshatrave, në kuadër të procesit të hartimit të buxhetit për vitin 2026.

Në takim ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës, i cili falënderoi kryetarët e fshatrave për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në adresimin e kërkesave dhe prioriteteve të qytetarëve.

Diskutimet u përqendruan në projektet dhe nevojat kryesore të secilit fshat, me theks të veçantë në investimet infrastrukturore, përmirësimin e shërbimeve publike dhe krijimin e kushteve më të mira për jetesën e qytetarëve.

Ky dëgjim publik konsiderohet si pjesë e angazhimit të Komunës së Suharekës për transparencë dhe llogaridhënie, duke siguruar që planifikimi buxhetor të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e fshatrave dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve.