Dosja e Prokurorisë ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë vitit 1999
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 gusht 2025 ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave, të cilët akuzohen për dëbimin me dhunë të mbi 862 mijë shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Aktakuza, e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, ngarkon ish-komandantë ushtarakë, udhëheqës të njësive policore dhe zyrtarë të lartë të aparatit shtetëror të kohës, të cilët dyshohet se kanë pasur rol kyç në organizimin dhe zbatimin e operacioneve që çuan në krime kundër popullatës civile shqiptare.
Në mesin e të akuzuarve figurojnë emra të njohur të strukturave ushtarake dhe policore serbe. Ata mbahen përgjegjës për ushtrimin e autoritetit dhe kontrollit mbi forcat që kryen krime kundër civilëve shqiptarë.
- Zlatomir Peshiq – Komandant i Rrethit Ushtarak në Prishtinë
- Mladen Cirkoviq – Komandant i Brigadës 15 të Blinduar, Ushtria e RFJ
- Radomir Markoviq – Shef i Divizionit të Sigurimit Shtetëror RDB (MUP)
- Dushko Adamoviq – Ndihmës i kryeshefit në administratën policore të MUP-it
- Obrad Stevanoviq – Shef i Administratës së Njësive të Veçanta të Policisë në Kosovë
- Zhivko Trajkoviq – Komandant i Njësive Speciale Antiterroriste
- Goran Radosavljeviq – Komandant i Njësive Kundër-Terrorizmit dhe grupeve operative ndjekëse të MUP-it
Ndër të tjerë akuzohen edhe drejtues të lartë të SUP-it në Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë dhe Gjakovë, si dhe komandantë të brigadave të Ushtrisë së RFJ-së në rajonet e Prishtinës, Gjakovës, Prizrenit dhe Gjilanit.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit akuzohen se gjatë muajve janar – qershor 1999, kishin dijeni dhe kontroll efektiv mbi forcat e tyre, të cilat kryen shkatërrime të pronës civile, djegie shtëpish, sulme të armatosura ndaj fshatrave shqiptare, ndalime arbitrare dhe dëbime masive të popullatës.
PSRK thekson se këto veprime kulmuan me organizimin e kolonave të detyruara të civilëve, të cilët u dëbuan drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së atëhershme. Në total, 862 mijë e 979 shqiptarë u larguan me dhunë nga shtëpitë e tyre.
Të akuzuarit, sipas Prokurorisë, nuk ndërmorën masa për të parandaluar, ndëshkuar apo raportuar këto akte, duke shkelur Konventat e Gjenevës dhe ligjet ndërkombëtare për mbrojtjen e popullatës civile.
Në aktakuzë janë listuar edhe viktimat sipas rajoneve të Kosovës:
- Prishtinë – 46 të dëmtuar
- Mitrovicë – 10
- Pejë – 12
- Prizren – 10
- Ferizaj – 9
- Gjilan – 10
- Gjakovë – 10
Kjo aktakuzë është dorëzuar me propozim për gjykim në mungesë, pasi të akuzuarit nuk është arritur të paraqiten gjatë fazës së hetimeve.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, dhe prokurori special Atdhe Dema, gjatë një konference për media më 15 gusht 2025, bënë të ditur ngritjen e aktakuzës dhe rëndësinë e saj për drejtësinë në Kosovë.
21 të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 i Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, të sanksionuar edhe nga e drejta ndërkombëtare humanitare.