Aktakuzë për krime lufte ndaj gardianes në burgun e Lipjanit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” ndaj N.C., e cila gjatë luftës kishte ushtruar detyrën e gardianes në burgun e Lipjanit.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se e pandehura, gjatë viteve 1998–1999, në cilësinë e zyrtares së burgut në Burgun e Prishtinës – paralelja për gra në Lipjan, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë, ka shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë konfliktit të armatosur.
Në aktakuzë thuhet se N.C. i ka keqtrajtuar në mënyrë të vazhdueshme të burgosurat shqiptare, duke i kërcënuar me jetë dhe duke ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj tyre. Ajo dyshohet se ka përdorur mjete të ndryshme dhune, përfshirë shkop gome, grushte dhe shqelma, duke u shkaktuar viktimave lëndime trupore deri në humbje të vetëdijes.
Si pasojë e këtyre veprimeve, të burgosurat thuhet se kanë përjetuar trauma psikologjike, ankth dhe frikë të vazhdueshme, ndërsa u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor.
