Arrestohet një i dyshuar për masakrën e 34 shqiptarëve në Burim të Malishevës

12.08.2025

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës kanë arrestuar mëngjesin e së martës personin me inicialet R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim lufte kundër popullatës civile”.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është kryer në Prishtinë. Hetimet e deritanishme dyshojnë se R.M., gjatë periudhës 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës.

Gjatë fazës hetimore, autoritetet kanë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve të ngjarjes.

Brenda afatit të paraparë ligjor, Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti Special.