Dy të vrarë dhe dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Gjilan – i dyshuari në arrati
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Gjilanit, ku dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një të shtëne me armë zjarri.
Rasti ka ndodhur rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova” dhe sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari është një mashkull shtetas i Kosovës, i njohur për organet e rendit, i cili aktualisht ndodhet në arrati.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar për Telegrafin se mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e dy personave në vendin e ngjarjes, ndërsa të plagosurit janë dërguar për trajtim në Qendrën Emergjente të Gjilanit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve rajonale, njësiti i krimeve të rënda dhe prokurori i shtetit, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, po zhvillon hetime intensive për të ndriçuar motivet dhe detajet e kësaj ngjarjeje të rëndë,” tha Hashani.