Krimet Ekonomike dhe ATK inspektojnë 21 parkingje në Prizren – evidentohen shkelje të shumta
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia Rajonale në Prizren, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe me asistimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit, ka realizuar një aksion inspektimi në 21 auto parkingje në qytetin e Prizrenit.
Aksioni, i zhvilluar më 8 gusht 2025, kishte për qëllim parandalimin dhe hetimin e veprës penale “Shmangie nga tatimi”.
Gjatë kontrolleve është konstatuar se në të gjitha parkingjet e kontrolluara nuk janë lëshuar kuponë fiskal, janë identifikuar nëntë punëtorë të paregjistruar, pesë parkingje nuk posedonin arka fiskale, dy biznese ishin të paregjistruara dhe dy të tjera operonin pa kontrata qiraje.
Për secilin rast, inspektorët e ATK-së do të ndërmarrin veprimet procedurale sipas kompetencave, ndërsa Policia e Kosovës do të vazhdojë procedurat ligjore lidhur me veprën penale “Shmangie nga tatimi”.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin, duke kontribuar në një ambient të drejtë dhe të ligjshëm për të gjithë.