Heqja e taksave, Osmani: Kosova partner i besueshëm i SHBA-së

01.08.2025

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar sot një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet strategjike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës: nga kjo ditë, hyjnë në fuqi masat për heqjen e plotë të tarifave doganore për të gjitha produktet amerikane.

Lajmin e bëri të ditur vetë presidentja Osmani përmes një postimi në platformën X, ku nënvizoi se Kosova është vendi i parë që ka propozuar dhe realizuar një vendim të tillë, si dëshmi e qartë e aleancës me SHBA-në.

“Për Presidentin amerikan dhe popullin amerikan: Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë”, shkroi Osmani.

Presidentja rikujtoi se kishte kërkuar formalisht nga Qeveria e Kosovës pezullimin e tarifave për mallrat e importuara nga SHBA-të, duke e konsideruar këtë si një hap të domosdoshëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe politik me aleatin më të rëndësishëm të vendit.

Ky vendim, i promovuar dhe i shtyrë përpara nga Presidentja Osmani, shihet si një mesazh i fuqishëm politik dhe ekonomik, që e pozicionon Kosovën në krah të SHBA-së jo vetëm si aleate, por si një partnere aktive dhe e përkushtuar në rrafshin ndërkombëtar.

Përmes këtij hapi, Osmani ka konfirmuar edhe një herë rolin e saj udhëheqës në forcimin e lidhjeve të Kosovës me aleatët perëndimorë, duke e shndërruar politikën e jashtme të vendit në një bosht të qëndrueshëm bashkëpunimi dhe besueshmërie.