KOS-CERT dhe Policia paralajmërojnë për SMS mashtruese për gjoba në trafik
Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike, KOS-CERT, së bashku me Policinë e Kosovës, kanë paralajmëruar qytetarët të kenë kujdes nga mesazhet mashtruese (SMS) që po qarkullojnë kohët e fundit dhe që kanë për qëllim mashtrimin dhe keqpërdorimin e të dhënave personale.
Sipas njoftimit të KOS-CERT, këto mesazhe vijnë nga numra jashtë Kosovës dhe përmbajnë URL të shkurtuara, duke pretenduar se automjeti i qytetarëve është regjistruar nga pajisjet e sigurisë dhe se atyre u kërkohet të paguajnë një gjobë trafiku.
“Ju lusim që të mos klikoni në këto URL që vijnë përmes mesazheve të tilla mashtruese”, thuhet në njoftim, duke shtuar se në asnjë rast autoritetet e sigurisë rrugore nuk dërgojnë SMS ku kërkohet pagesa e gjobave në trafik.
KOS-CERT fton qytetarët që çdo rast të tillë ta raportojnë në adresën zyrtare të emailit: [email protected], me qëllim që të merren masa për bllokimin dhe hetimin e burimeve të këtyre mashtrimeve.