Ngritet aktakuzë për kontrabandim me migrantë ndaj një personi në Prizren

28.07.2025

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit U.K., nën dyshimin e bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”, sipas nenit 164, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, më 19 nëntor 2024, në afërsi të pikës kufitare të Vërmicës, U.K. është përfshirë në kontrabandimin e migrantëve me qëllim të përfitimit financiar ose tjetër dobie pasurore, duke ndihmuar hyrjen e paligjshme të shtetasve të huaj në territorin e Kosovës.

Hetimet kanë zbuluar se U.K., më 14 nëntor 2024, është marrë vesh me një person të identifikuar si “A.” për kohën e hyrjes së migrantëve në Kosovë. Në ditën kritike, ai ka marrë me qira një veturë të tipit “Golf 7” nga një agjenci “rent a car Z.” dhe është nisur drejt pikës kufitare të Vërmicës. Aty ka pritur katër migrantë që kishin kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin Kosovë–Shqipëri, A.(A).F., shtetas maroken M(W).R., shtetas sirian L.(M).A. dhe I.(S).A., shtetas egjiptian

Ai ka pasur për qëllim që, kundrejt pagesës, t’i transportonte ata deri në kufirin Kosovë–Serbi.

Mirëpo, gjatë rrugës, i pandehuri është ndaluar nga policia dhe në automjetin e tij janë gjetur edhe migrantët, të cilët për shkak të këtij ndalimi nuk kanë arritur t’i japin U.K.-së pagesën e planifikuar.

Prokuroria konsideron se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale “Kontrabandimi me migrantë”. Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin në fuqi.